Basha-Rama, fati i nje proteste | ABC News Albania

Protesta e 16 Shkurtit e opozitës zgjati vetëm 5 orë, e pa rezultatin e premtuar prej katër javësh. Dritëhijet e lëvizjeve që paraprinë protestën, por edhe që ndikuan ecurinë e saj, na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Iu përgjigjën edhe njëherë Lulzim Bashës të shtunën e 16 Shkurtit, për një protestë të paralajmëruar 4 javë më herët, për largimin e kryeministrit. Mesa duket ky i fundit, indiferencën e javëve para protestës, e kishte patur veç publike, ndërsa kishte përgatitur kundërpërgjigjen. Në të njëjtën orë, organizoi një takim masiv në sheshin e Flamurit në Vlorë. E njoftuar si protestë e qytetarëve, e pa fjalime politike, ishin pikërisht qytetarët që vepruan, ndërsa policia u hapte rrugë.

Por ndryshe nga pritshmëritë që u kishte krijuar opozitarëve, protesta e 16 Shkurtit u mbyll pas 5 orësh, pa rezultatin e premtuar, largimin e Kryeministrit. Përgatitjet si të opozitës ashtu edhe të qeverisë për këtë ditë, ishin intensifikuar javën e fundit para protestës së 16 Shkurtit. Edhe Kryeministri iu drejtua qytetarëve, por ndryshe nga Basha, në takime të mbyllura, të cilat ishin një çelje jo zyrtare e fushatës lokale të 30 qershorit. “Bashkia që duam” ishte slogani që u shpalos së pari në Korçë, ku shefi i mazhorancës rikonfirmoi rikandidimin e kryebashkiakut Filo.

Normalitetit që përpiqej të përcillte Rama, Basha i përgjigjej duke renditur krah kauzës së opozitës, edhe faktorin ndërkombëtar. Por vëmendja e opinionit publik u tërhoq nga një personazh i njohur i kronikës. Dritan Dajti, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen në gusht 2009 të 4 efektivëve të policisë, që do bënin arrestimin e tij, fitoi ndryshim dënimi. Apeli i krimeve të rënda kishte pranuar gjykimin e shkurtuar, që ia conte në 25 vjet, dënimin e mëparshëm me burgim të përjetshëm. PD reagoi menjëherë:

Prokuroria njoftoi ankimim të vendimit sapo ai të zbardhej, ndërsa Lulzim Basha, i mëshoi në takimin e të nesërmes. Spikati mungesa e një Donald Lu-je, që në Dhjetor 2016 reagoi fort në rastin e lirimit të Lul Berishës. Heshtja e mazhorancës u thye dy ditë pas vendimit për Dajtin, me dalje të njëpasnjëshme të dy ministrave Etilda Gjonaj dhe Sandër Lleshaj. Ministrja e Drejtësisë e konsideroi precedent të rrezikshëm dhe paralajmëroi ankimim në KLGJ.

Ndërsa ministri i Brendshëm foli për riaktivizim të Forcës së Ligjit, task forca speciale kundër krimit të organizuar, e ngritur nga paraardhësi i tij në Nëntor 2017. Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca mbështeti veprimet e dy ministrave, në një reagim në Twitter.

Trupa 5 antarëshe e Apelit të krimeve të rënda u bë shënjestër publike. Tre ditë pas vendimit, kreu i trupës gjykuese, ndau përgjegjësinë. Reagoi përsëri edhe Lulzim Basha, por për të nënvizuar heshtjen e Kryeministrit. Në Rrëshen Edi Rama foli për çështjen, 5 ditë pas vendimit që e uli në 25 vjet, dënimin e përjetshëm të vrasësit të 4 policëve.

Lulzim Basha që orientonte publikun tek protesta për largimin e kryeministrit, i bëri një paralajmërim të fortë nga Pogradeci. Ishte momenti që Rama t’i përgjigjej sfidës. Publikisht u shfaq i qetë.

Por qetësia mbeti vetëm në artikulimin publik të Kryeministrit. Qëndrimi i Policisë së Shtetit kishte gjithë tiparet e dekurajimit të protestuesve, çka solli edhe reagimin e PD. Të nesërmen erdhi një tjetër lëvizje. Autoriteti Rrugor bënte të ditur se do kryente punime nga mesjava deri në fundjavë, në dy segmente hyrëse të kryeqytetit

3 ditë para protestës, i bashkoi në seancë parlamentare, ratifikimi i protokollit të antarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Në sallë për të përshëndetur mbështetjen e Shqipërisë, ishte kreu i kuvendit të maqedonisë Talat Xhaferri. Por panorama solemne e pikës së parë të rendit të ditës, nuk zgjati shumë.

Çka tensionoi situatën ishte reagimi i kryeministrit pas fjalës përshëndetëse të Bashës për anëtarësimin e Maqedonisë së veriut në NATO, të cilën e mbylli akuza ndaj qeverisë, e thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 16 shkurtit.

A u kap vallë në befasi Kryeministri?

This article was gathered automatically by our news bot. We help YouTubers by driving traffic to them for free. The featured image in this article is the thumbnail of the embedded video.

Leave a Comment

Close
Share via
Copy link